Arrestohet biznesmeni më i fuqishëm i Manastirit, kishte shpërdorur 1.6 milion euro
Në Manastir, gjatë orëve të para të mëngjesit, është zhvilluar një aksion i Policisë Financiare, ku është arrestuar një person i njohur në botën e biznesit, nën dyshimin për përfshirje në manipulim tenderësh me vlera që arrijnë qindra milionë denarë në REK Bitola. Bëhet fjalë për Borçe Markovskin, poashtu konsull nderi i Bjellorusisë. Hetimet paraprake tregojnë se ai dyshohet për keqpërdorime me një tender në vlerë rreth 1.6 milionë euro.
Kompania e tij ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes publike për shkak të kontratave të mëdha që ka marrë nga shteti, veçanërisht gjatë qeverisë së kaluar. Opozita kishte denoncuar se me vetëm 10 buldozerë, kjo kompani fitonte mbi 60 mijë euro në ditë, ndërsa në dy vite kishte arkëtuar rreth 200 milionë euro nga tenderët publikë.
Deri më tani, institucionet kompetente nuk kanë dhënë asnjë njoftim zyrtar për aksionin dhe zhvillimet e hetimit në Manastir.