Afrim Gashi shpall zgjedhjet lokale
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, shpalli sot zyrtarisht zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor 2025.
Sipas vendimit, qytetarët do të zgjedhin kryetarë komunash dhe këshilltarë në 80 komuna, si dhe në Qytetin e Shkupit. Në rast se asnjë kandidat për kryetar komune nuk fiton shumicën e nevojshme në raundin e parë, raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor 2025.
Fushata zgjedhore do të zgjasë 20 ditë dhe Kuvendi, gjatë kësaj periudhe, do të vazhdojë punën vetëm në funksion administrativ, pa seanca plenare, për të shmangur keqpërdorimin për qëllime politike.
Kryeparlamentari Gashi theksoi se ky proces është një hap i rëndësishëm për forcimin e demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare.