
Adrenalina që kushton jetë: Dhjetëra viktima në aksidente rrugore në Kosovë
Numri i aksidenteve në Kosovë është bërë shqetësim dhe sfidë në sigurinë e trafikut. Shifrat janë alarmante, me 117.604 aksidente vetëm gjatë 5 viteve të fundit, sipas të dhënave të raportuara nga Policia e Kosovës.
Statistikat tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024, në të gjithë territorin e Kosovës janë regjistruar gjithsej 21.838 aksidente trafiku, prej të cilave 13.854 kanë qenë aksidente me dëme materiale, 7.896 aksidente me lëndime dhe 88 kanë qenë aksidente fatale, duke rezultuar me 96 viktima, shkruan VOXAL.
Gjithsej aksidente | Aksidente me dëme materiale | Aksidente me lëndime | Viktima | |
Viti 2024 | 21.838 | 13.854 | 7.896 | 96 |
Viti 2023 | 23.652 | 14.790 | 8.764 | 106 |
Viti 2022 | 20.794 | 12.951 | 7.748 | 106 |
Viti 2021 | 21.274 | 13.523 | 7.652 | 111 |
Viti 2020 | 13.847 | 8.375 | 5.396 | 81 |
Sipas raportit krahasues “Fatalities for 2020 – Annual Statistics for Western Balkans”, ku janë analizuar statistikat e aksidenteve në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2020, Kosova është ranguar me më së paku vdekje për 1 milion banorë në krahasim me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë. Mirëpo, në krahasim me vitin 2020, katër vitet e fundit karakterizohen me një rritje alarmuese, ku kemi 57,7% aksidente më shumë dhe si duket kjo tendencë negative po vazhdon të rritet për shkak të faktorëve të ndryshëm.
Statistikat e të dhënave nga Byroja Kosovare e Sigurimit, evidentojnë numrin më të madh të aksidenteve gjatë sezonës verore, kryesisht gjatë muajit gusht. Arsyjet kryesore që mund të identifikohen janë sezona e pushimeve, ngritja e temperaturave, ardhja e mërgimtarëve kosovarë dhe turistë të ndryshëm, ku fluksi i madh i makinave që qarkullojnë në rrugë, rrisin mundësinë e aksidenteve.