Abuzime në REK Manastir: 46-vjeçari dyshohet për dëm financiar prej 90 mijë euro
Polica e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj 46 vjeçarit nga Manastiri nën dyshimet se e ka dëmtuar buxhetin e Kombinatit të Minierave dhe Energjisë “Manastir” me 90 mijë euro.
“Kallëzim penal ndaj 46 vjeçarit M.T. nga Manastiri për shkak dyshimeve të bazuara se ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar’, ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘shfrytëzim i dokumenteve me përmbajtje të pavërteta’”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.
I dyshuari, si udhëheqës i kompanisë nga Novaci, në prill dhe maj të vitit 2024 përmes tejkalimit të kompetencave, e ka dëmtuar buxhetin e KME “Manastirit” me 5.4 milionë denarë.
Ndryshe, pronari i “Markovski kompani” dhe konsulli i nderit i Bjellorusisë, Borçe Markovski, në muajin janar është liruar nga paraburgimi.Garancia që ai ka dhënë se nuk do të arratiset kap vlerën prej gati 5 milionë eurosh në pasuri të paluajtshme.
Prokuroria e Manastirit ngriti aktakuzë kundër pronarit të “Markovski Kompani”, Borçe Markovski, dy të punësuarve të tjerë në kompani, si dhe kundër pesë ish-drejtuesve në REK Manastir, mes të cilëve edhe ish-drejtori Pece Matevski.
Ata akuzohen për keqpërdorime me tenderin për zhvendosjen e stacioneve operative nga miniera Osllomej në minierat e Manastirit, me vlerë 106 milionë denarë, respektivisht 1.7 milionë euro.
Abuzimet në REK Manastir kanë qenë në fokusin e publikut për vite me radhë.