Viktimat po marrin guxim për të denoncuar dhunuesit: 11 raste vetëm në 24 orë!
Brenda 24 orëve të fundit, Policia e Maqedonisë së Veriut ka regjistruar 11 raste të dhunës në familje, ku katër persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë ftuar për bisedë informative.
“Katër dhunues janë privuar nga liria dhe dy janë ftuar në bisedë zyrtare. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rasteve dhe pas dokumentimit, kundër autorëve do të parashtrohen kallëzime përkatëse”, njoftoi Policia.
Në mesnatë, një 39-vjeçar në Demir Kapi u arrestua pasi kërcënoi prindin 57-vjeçar. Në Kumanovë, një 44-vjeçar akuzohet për keqtrajtimin fizik të bashkëshortes, ndërsa në Gostivar një person sulmoi motrën e tij 44-vjeçe. Një 29-vjeçar nga Çairi u arrestua për dhunë ndaj bashkëshortes.
Raste të tjera përfshijnë kërcënime online dhe sulme fizike, përfshirë një 38-vjeçar që kërcënoi bashkëshorten në rrjetet sociale gjatë procesit të divorcit dhe një 31-vjeçar në Tetovë që u sulmua nga bashkëshortja në veturë. Një 29-vjeçare në Shkup raportoi bashkëshortin për dhunë, ndërsa dy të moshuar në Gostivar u paraqitën si viktima të sulmeve fizike nga të afërm.
Autoritetet planifikojnë ndryshime në tetë ligje për të përforcuar mekanizmat për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, në kuadër të Trupit Koordinues Kombëtar për zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës.
Rastet dramatike të dhunës familjare vijojnë të tregojnë dështimin e sistemit për mbrojtjen e viktimave, si tragjedia e 2 marsit në Karposh, ku një nënë dhe vajza e saj gjashtëvjeçare humbën jetën, edhe pse policia kishte qenë në vendngjarje disa orë para ngjarjes.
Edhe pse në janar Kodi Penal përcaktoi detyrimin e MPB-së për të vepruar ndaj çdo denoncimi për dhunë familjare, kritikët theksojnë se praktika e zbatimit të ligjit mbetet e dobët.