Çdo ditë e më pak dele në RMV!
Pasojat e boshatisjes së fshatrave dhe mungesa e fuqisë punëtore po reflektohen vit pas viti edhe në të dhënat e blegtorisë. Numri i blegtorëve në Dibër po zvogëlohet dita-ditës. Një pjesë e tyre kanë shitur plotësisht bagëtitë dhe nuk merren më me blegtori. Shkaku kryesor, sipas vetë blegtorëve, është migrimi i të rinjve dhe mungesa e krahut të punës. Edhe ata që ende merren me blegtori e kanë reduktuar numrin e kopeve nga 20 deri në 30 për qind.
Dibra, e njohur ndër dekada si një nga qarkat me traditë të fuqishme blegtorale, ka pësuar rënie të ndjeshme të numrit të dhenve. Nga rreth 45 mijë krerë sa kishte para një dekade, sot ky numër ka rënë nën 25 mijë. Blegtori i njohur dibran, Skënder Ame, i cili me familjen e tij merret me blegtori prej tre gjeneratash, thotë se situata është alarmante.
“Shumë blegtorë dibranë janë detyruar të shesin të gjitha bagëtitë dhe të largohen krejtësisht nga ky profesion. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së krahut të punës, sepse nuk gjendet as bari, as mjeshtër për djathin e bardh tradicional, por as punëtorë që të kujdesen për bagëtitë në kullosat e maleve të Dibrës. Dikur barinjtë i siguronim nga zonat kufitare të Shqipërisë, por tani kjo është e pamundur”, thotë Ame.
Ai shton se edhe blegtorët që kanë mbetur aktivë janë të detyruar të reduktojnë tufat me 20–30 për qind. Dibranët njihen për prodhimin e djathit të bardh tradicional, i cili tashmë ka fituar statusin e një brendi të veçantë. Ky djathë është ndër më të kërkuarit në vend, por edhe jashtë tij. Skënder Ame thekson se së fundmi ka përfunduar prodhimi i djathit vjeshtor, i cili është bërë në bjeshkët e Dibrës.
“Këtë vit prodhimi ka qenë i kënaqshëm, duke arritur rreth 600 ton, dhe pothuajse i gjithë është drejt shitjes. Çmimi i një kilogrami është 650 denarë, çmim që mbulon nevojat dhe shpenzimet e blegtorëve”, shprehet ai.
Djathi kryesisht blihet në Shkup, Ohër dhe Dibër, ndërsa këtë vit një pjesë të madhe e kanë blerë edhe mërgimtarët që jetojnë në Itali, Gjermani, Zvicër e vende të tjera të Evropës, të cilët gjatë verës janë kthyer në vendlindje.
Nga bisedat me blegtorë të Dibrës, Zhupës dhe Rekës, mësohet se pavarësisht rritjes së çmimit, plasmani i djathit bëhet pa pengesa dhe mbulon shpenzimet. Megjithatë, mungesa e krahut të punës ka detyruar shumë blegtorë të lënë krejtësisht profesionin, gjë që reflektohet jo vetëm në rënien e numrit të kopeve, por edhe në uljen e prodhimtarisë së qumështit.
Aktualisht, tufat e dhenve ndodhen ende në bjeshkët verore të Dibrës, të pasura me vegjetacion natyral dhe ekologjikisht të pastër. Sipas traditës, dhentë do të zbresin në fermat e Dibrës nga fundi i shtatorit deri në fillim të tetorit. Bjeshkët tashmë janë të pajisura me infrastrukturë të përmirësuar, si rrymë elektrike dhe kushte më adekuate për qëndrimin e bagëtive dhe për prodhimin në stane. /Koha/