Në disa qytete të Serbisë përsëri shpërthejnë protestat
Në disa qytete të Serbisë – Novi Sad, Kragujevac, Prijepolje dhe Leskovc – sonte do të mbahen protesta të thirrura nga studentët dhe asambletë qytetare, duke u kthyer në një valë pakënaqësie ndaj qeverisë së Aleksandar Vuçiç dhe politikave të saj në arsim.
Në Novi Sad, protesta e madhe “Serbi, a na dëgjon?” do të nisë në orën 19:00, ku organizatorët kërkojnë respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe mësuesve, duke akuzuar pushtetin se hesht përballë padrejtësive.
Në Kragujevac, maturantët kanë thirrur një tubim në mbështetje të pesë profesorëve të pushuar nga Shkolla e Mesme e Dytë, të cilët u zëvendësuan me emra nga listat e tepricave teknologjike. Sipas Plenumit të shkollës, ky ishte një veprim politik i qeverisë për të dënuar kritikët, duke lënë mësuesit pa punë.
Në Leskovc, protesta me moton “Arsim apo Hakmarrje” do të mbahet sonte në Sheshin e Qytetit në orën 19:00, ku nxënësit dhe qytetarët akuzojnë pushtetin se e ka shndërruar arsimin në fushë për hakmarrje politike. Edhe në Prijepolje qytetarët do të dalin në orën 19:00 përpara Qendrës Kulturore, në mbështetje të studentëve dhe profesorëve.
Pakënaqësia ndaj qeverisë lidhet gjithashtu me mungesën e përgjegjësisë për tragjedinë e 1 nëntorit 2024 në Novi Sad, kur u shemb mbulesa e rikonstruktuar e Stacionit Hekurudhor, duke lënë pas 14 të vdekur dhe disa të plagosur. Edhe pse opinioni publik kërkon drejtësi, ende nuk është ngritur asnjë akuzë, ndërsa shumica e të arrestuarve janë liruar.
Qytetarët shprehen se këto protesta janë mesazh i qartë për pushtetin e Vuçiç se shoqëria nuk pranon më padrejtësinë, hakmarrjen politike dhe mungesën e llogaridhënies.