FSK trajnon ushtarakët e Shqipërisë për ndërtimin e urave ushtarake “Mabey Johnson”
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), përmes Regjimentit të Xhenios, është duke zhvilluar një trajnim të përbashkët me Xhenierët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), me fokus në ndërtimin e urave ushtarake të tipit “Mabey Johnson”.
Ky trajnim vjen si rezultat i marrëveshjeve bilaterale ndërmjet dy ushtrive, që synojnë forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta operacionale në fushën e inxhinierisë ushtarake, raporton lajmi.net
Gjatë trajnimit, pjesëtarët e dy forcave po punojnë së bashku në ndërtimin dhe përdorimin praktik të strukturave urëmbajtëse, që përdoren në operacione ushtarake dhe civile në kushte të ndryshme terreni dhe kohe.
Sot, ushtarakët u vizituan nga Atasheu Ushtarak i Shqipërisë në Kosovë, Kolonel Beqir Tafili, dhe komandanti i Regjimentit të Xhenios të FSK-së, OF-4 Agron Xhekaj, të cilët vlerësuan angazhimin profesional dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy forcave.
Ata theksuan rëndësinë e mbështetjes reciproke dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm në zhvillimin e aftësive ushtarake dhe rritjen e ndërveprueshmërisë për përballimin e sfidave të përbashkëta.
Trajnimi do të vazhdojë me module të tjera teknike në ditët në vijim, duke forcuar më tej lidhjet mes FSK-së dhe FARSH-it.