Vuçiq thotë se bisedoi me Lavrovin për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se më 26 gusht ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për situatën politike në rajon.
Vuçiq tha se e ka njoftuar shefin e diplomacisë ruse për situatën në Kosovë dhe, siç shkroi ai, për “përpjekjet e vazhdueshme për dëbimin e popullsisë sonë nga vatrat shekullore, si dhe për heshtjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare”.
Temë bisede, sipas Vuçiqit, ishte edhe situata në Bosnje e Hercegovinë.
“Diskutuam mbi situatën në Bosnje e Hercegovinë, krizën e shkaktuar nga jashtë, me sulme të vazhdueshme ndaj (entitetit) Republika Sërpska”, shkroi Vuçiq në Instagram.