Kush është kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës? Ja disa fakte
Dimal Basha është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe një nga zërat më aktivë në Kuvendin e Kosovës. Ai ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në Ferizaj. Shkollimin e lartë e ka kryer në ShBA, ku ka diplomuar në drejtësi penale ndërkombëtare dhe më pas ka përfunduar masterin në marrëdhënie ndërkombëtare, me theks në konflikt dhe siguri.
Përveç arsimimit, Basha ka edhe përvojë të pasur profesionale. Ka punuar në Shtetet e Bashkuara, Angli dhe Zvicër – mes tjerash në zyrën e kongresmenit amerikan Eliot Engel dhe si analist në një gjykatë federale në SHBA. Po ashtu është marrë me gazetari dhe media, duke trajtuar tema të politikës dhe sigurisë.
Në politikë, është zgjedhur disa herë deputet i Vetëvendosjes dhe ka qenë pjesë e komisioneve kryesore parlamentare – nga politika e jashtme, te legjislacioni, mbikëqyrja e inteligjencës dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Ai njihet për fjalimet e drejtpërdrejta, debatet e ashpra dhe qëndrimet kritike, që shpesh e kanë bërë figurë të komentuara në politikën kosovare.
Dimal Basha është parë shpesh si zë i fortë e provokues, gjë që ka sjellë vlerësime, por edhe polemika – sidomos për qëndrimet e tij ndaj përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilat kanë nxitur reagime nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.
Megjithatë, ai mbetet një nga figurat më të spikatura të Vetëvendosjes në Kuvend dhe një aktor i zëshëm në debatin publik, duke u paraqitur si mbrojtës i kauzave që i konsideron të rëndësishme për vendin./VOXAL/