
E drejta për të riparuar dhe sfida e konsumit “blej e hidh”
Një celular përfundon në plehra sepse bateria nuk karikon më. Një fshesë me korrent robot që nuk lëviz më për shkak të një rrote të prishur ndjek të njëjtin fat. Edhe GPS-i i makinës, që është bërë shumë i ngadaltë. Edhe mikrovala, e cila ka dy butona që nuk funksionojnë më. Edhe printeri, që papritur jep një mesazh gabimi dhe askush nuk e di pse. Ka shumë gjasa që të gjesh veten në njërën (ose në të gjitha) nga këto situata: sendet me të cilat jetojmë prishen shpesh. Megjithatë, shumë prej tyre mund të riparohen për të zgjatur jetën e tyre dhe për të mos përfunduar në koshin e mbeturinave. Vetëm se, të kesh akses te riparimi nuk është gjithmonë e lehtë.
Në vitin 2022, në mbarë botën u gjeneruan 62 milionë ton mbetje elektronike, sasia më e madhe e regjistruar ndonjëherë nga Observatori Ndërkombëtar i Mbeturinave Elektronike. Kjo përkthehet në më shumë se 7 kilogramë për person në vit, një shifër që rritet në 17,6 kilogramë për person nëse shohim vetëm mbetjet evropiane. Në këto plehra humbasin miliarda euro në metale të vlefshme, krijohet një ndikim i madh mjedisor (shumica e mbetjeve digjen) dhe mbështetet një sistem prodhimi e konsumimi linear, ku nxjerrim burime të kufizuara nga Toka për t’i hedhur pak kohë më vonë.
E gjithë kjo, për më tepër, nuk është rastësi. Ky sistem është baza e modeleve të biznesit të pafund kompanish që përdorin praktika si vjetërimi i programuar ose vjetërimi i perceptuar si një armë të fuqishme. Ekonomia lineare, e njohur edhe si “nxirr-prodho-hedh”, lindi me Revolucionin Industrial dhe ka dominuar prej atëherë. Por, ky sistem ka një pikë të dobët: riparimin, një praktikë shumë e zakonshme deri jo shumë kohë më parë, që madje është njohur si një e drejtë në Bashkimin Evropian.
“Riparimi jo vetëm që zgjat jetën e produkteve, por ul ndikimin mjedisor, zvogëlon mbetjet dhe u kthen njerëzve fuqinë dhe lirinë. E drejta dhe aftësia për të riparuar janë të nevojshme për të rimarrë kontrollin mbi atë që blejmë dhe për t’i rezistuar vjetërimit të programuar,” – theksojnë nga Restarters Valencia, një nga grupet që kanë lindur vitet e fundit për të promovuar riparimin.
Projekti Restart është një komunitet global i themeluar në Mbretërinë e Bashkuar, por me praninë lokale në më shumë se 20 vende.
“Ne organizojmë takime ku persona vullnetarë me njohuri teknike dhurojnë kohën e tyre për të ndihmuar të tjerë që duan të riparojnë një pajisje të prishur. Përveç kësaj, përpiqemi të shpjegojmë çfarë ndodh me pajisjen, pse është prishur dhe si mund ta riparojmë. Shpesh riparimet janë befasisht të thjeshta dhe të lira, edhe pse ka raste kur nuk ia dalim dot. Dhe pothuajse gjithmonë përfundojmë duke mallkuar dizajnet e dobëta dhe jo miqësore,” – tregojnë nga Restarters Barcelona.
Si ta ushtrojmë të drejtën tonë për të riparuar?
Ekzistojnë shumë mënyra për ta bërë një objekt të duket i vjetruar. Produktet mund të kenë jetëgjatësi të kufizuar nga dizajni, mund të bëhen të padobishme për shkak të standardeve të reja teknike, mund të mbeten pa mbështetje ose pa pjesë këmbimi, ose thjesht mund të duken të vjetruara për shkak të marketingut dhe reklamës. Dhe megjithëse elektronika është sektori ku këto praktika janë më të dukshme, në fakt ato përdoren gjerësisht edhe në fusha të tjera që varen nga inovacioni i vazhdueshëm dhe ciklet e shkurtra të produktit, si moda apo industria e automobilave.
“Riparimi është i rëndësishëm, së pari, për një çështje drejtësie sociale dhe sepse ofron mundësi biznesi dhe punësimi në vendet ku konsumohen produktet, me garanci të ngjashme me ato të konsumatorëve dhe përdoruesve,” – shpjegon Alberto Vizcaíno, ekspert i mjedisit.
“Riparimi është i rëndësishëm edhe për shkak të kostos mjedisore, ekonomike dhe sociale që gjenerojnë produktet që konsumojmë. Në secilin ka lëndë të para që janë nxjerrë diku në botë, orë pune, emetime nga transporti… Pasi produkti është në duart tona, gjëja ideale është ta mbajmë sa më gjatë të jetë e mundur, për të ulur ndikimet mjedisore dhe sociale.”
Sipas ekspertit, nëse një produkt prishet, gjëja e parë është të kontrollosh nëse është ende në garanci. Në BE, konsumatorët janë të mbrojtur nga defektet e prodhimit për tre vitet e para të përdorimit. Përtej garancisë (dhe ndonjëherë edhe brenda saj), riparimi nuk është i lehtë.
“Ekziston legjislacion që rregullon të drejtën për riparim, por nuk zbatohet siç duhet. Si konsumatorë nuk jemi të vetëdijshëm për opsionet tona dhe nuk kemi kohë as burime për t’i ushtruar ato. Të kesh akses në riparim kërkon një përpjekje që e dekurajon përdoruesin dhe e shtyn drejt blerjes së produkteve të reja,” shton Vizcaíno.
Zgjidhje për të riparuar dhe për të mposhtur vjetërimin
Ku mund të shkojmë për të riparuar? Në shumë qytete ende ekzistojnë punishte riparimi të rrobave, pajisjeve shtëpiake ose produkteve elektrike, por janë gjithnjë e më të rralla. Mungesa e brezit pasardhës, vështirësia për të siguruar pjesë këmbimi dhe komponentë, mungesa e kualifikimit dhe informacionit teknik të hapur, si edhe mungesa e stimujve për të ftuar njerëzit të riparojnë (duke ndryshuar paradigmën mendore që “më mirë blej një të re”) janë pengesat kryesore të riparimit.
Në Spanjë ekzistojnë disa nisma për ta afruar riparimin me konsumatorët. Përveç grupeve si Restarters Barcelona ose Valencia, ka edhe Repair Cafés (vënde të hapura ku njerëzit mblidhen për të riparuar së bashku, shpesh në një bar ose restorant), projekte të ekonomisë sociale si Recumadrid apo Traperos de Emaús, si edhe iniciativa profesionale që lidhin riparuesit me personat që kanë nevojë për shërbimet e tyre, si Guía Reparaciones.
“Për të nxitur më shumë riparime na duhen ndryshime në disa nivele: ligje më të forta që detyrojnë prodhuesit të lehtësojnë riparimin, edukim që nga fëmijëria për të mësuar të kujdesemi, të riparojmë dhe të vlerësojmë sendet, të japim vlerë kulturore riparimit si diçka të dobishme, kreative dhe të domosdoshme, ose stimuj fiskalë dhe subvencione për ata që riparojnë dhe ata që promovojnë aktivitete të tilla,” – përfundojnë nga Restarters Valencia.
/Climatica/përkthyer nga VOXAL/
