Reporting House: Një muze i jashtëzakonshëm i historisë së Kosovës në zemër të Prishtinës
Në sheshin Skenderbeu në Prishtinë gjendet muzeu i veçantë “Reporting House” i cili po e tregon me zë të lartë historinë e tmerrshme të luftës së Kosovës duke përcjellë detajet për një gjenocid që ju bë shqiptarëve gjatë viteve të 90-ta.
Projekti u iniciua nga Jeta Xharra, Drejtore Ekzekutive e BIRN Kosova, gazetare e njohur dhe producente e muzeut. Duke u mbështetur në përvojën e saj në raportimin e luftës për BBC-në (1997–1999), kur punoi si organizatore dhe më vonë producente lokale, Xharra udhëhoqi përpjekjet për të digjitalizuar 30 orë mbulim mediatik ndërkombëtar për Kosovën të cilat tashmë vizitorët mund ti shohin me sytë e tyre.
Prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita paraqet punën e gazetarëve, fotografëve dhe profesionistëve të medias krahas veprave të artit bashkëkohor. Këto nxjerrin në pah ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.
Vizitorët mund të rrugëtojnë përmes konfliktit të viteve 1990, nga rezistenca paqësore e shqiptarëve të Kosovës pasi Millosheviqi revokoi statusin e Kosovës si një Krahinë Autonome e ish-Jugosllavisë dhe Dejtoni në vitin 1996, deri në lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e viteve 1998-1999, duke kulmuar në fushatën ajrore 11-javore të NATO-s që çoi në çlirimin e Kosovës dhe sulmet hakmarrëse që pasuan kundër joshqiptarëve që jetonin në Kosovë në gjysmën e dytë të vitit 1999.
Ekspozita paraqet draftin e historisë të shkruar prej gazetarëve, teksa demonstron rolin qendror të medias, shoqëruar me interpretimet artistike të këtyre ngjarjeve.

















