Qeveria në detyrë merr vendim për shqyrtimin e shpronsimit të pronave për ndërtimin e urës mbi Ibër
Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen në formë elektronike më 08.08.2025, me ç’rast ka marrë tri vendime.
Si vendim i parë ishte miratimi i shqyrtimit të “kërkesës me vetiniciativë” për shpronësim të pronave për nevojat e ndërtimit të urës mbi Ibër që lidh Mitrovicën e veriut me atë të jugut.
“Miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës me vetiniciativë për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e Projektit Infrastrukturor për Interes Publik- Ndërtimi i Urës mbi lumin Ibër që lidh Mitrovicën e veriut dhe Mitrovicën e jugut” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Qeveria po ashtu ka caktuar zonat e shërbimit për ofruesit e shërbimeve të ujit në Kosovë.
Nga Qeveria u miratua edhe ndryshimi i statutit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” ShA, sipas vendimit të bordit të drejtorëve.
Përmes një komunikate, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimi lidhur me kontratat për ndërtimin e këtyre urave nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore.
“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se nuk e ka në kompentencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por theksojmë se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. PS-ja, nëpërmjet pesë prokurorëve të angazhuar, i ka aktualisht në trajtim afër 2 mijë kontrata një burimore”- thuhej ne komunikatën e lëshuar me 10.07.2025.
Bazuar në këtë, thuhet më tej në komunikatë, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
“Hetimi për kontratën për ndërtimin e urave në Mitrovicë, nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike”- thuhet më tej në njoftim.
Më 01.07.2025 është vënë guri i themelit të dy urave që do të ngrihen mbi lumin Ibër dhe lidhin qytetin e Mitrovicës.
Ndërtimi i këtyre urave u bë i mundur pas një memorandumi të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Komunën e Mitrovicës së Jugut.