Në Klinikën për sëmundje të fëmijëve vendoset arsimi formal fillor në kushte spitalore për fëmijët që kanë mjekim afatgjatë
Nga 1 shtatori, edhe fëmijët që kurohen në Klinikën e Fëmijëve në Shkup do të ndjekin mësim formal, një nismë humane që po bëhet realitet falë bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, bashkë me ministren e Arsimit, Vesna Janevska dhe kryetaren e OJQ-së “SANO”, prezantuan sot projektin që për herë të parë e çon shkollën te fëmijët që për shkak të sëmundjes nuk mund të ndjekin orët në klasë.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu informoi se nga nesër do të krijohet një grup pune që do të fokusohet në sigurimin e kuadrit cilësor për të punuar me fëmijët që trajtohen në Klinikë.
Sipas planit, mësimi do të zhvillohet në dy forma: online në kohë reale bashkë me klasën e tyre ose individualisht, nëpërmjet materialeve, detyrave të personalizuara dhe vlerësimit të rregullt nga mësues të trajnuar. Për këtë qëllim, tashmë kanë nisur edhe trajnimet e stafit mësimor për të punuar me fëmijët në kushte të veçanta shëndetësore.
Ndryshimet ligjore që e mundësojnë këtë projekt kanë hyrë në fuqi dhe parashikojnë që çdo shkollë të përfshijë në mënyrë aktive fëmijët që ndodhen në trajtim të gjatë në Klinikën e Pediatrisë.
Drejtori i Klinikës, Memedi, sqaroi se aktualisht në repart trajtohen rreth 20 fëmijë, por ky numër ndryshon vazhdimisht, ndërsa për fëmijët me sëmundje malinje, trajtimi mund të zgjasë deri në dy vjet, me qëndrime të vazhdueshme spitalore për të paktën gjashtë muaj.