OVL-UÇK në protestë për mbështetje të ish krerëve në Hagë
OVL UÇK do të organizojë “protestë gjithëpopullore” në Prishtinë, nga ora 17:00, në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët që nga viti 2020 ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës, në kushte që OVL UÇK i konsideron të padrejta.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët kosovarë – Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli – dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara.
Protesta e fundit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së ishte zhvilluar nën organizimin e platformës “Liria ka emër” në prill 2023 në Prishtinë, në të cilën kishin marrë pjesë mijëra qytetarë që dolën në përkrahje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.