22 të vdekur në mbi 2 mijë aksidente për 3 muaj
Nga muaji maj deri në fund të korrikut, rrugët e Maqedonisë së Veriut janë shndërruar në skena aksidentesh tragjike. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë periudhë janë regjistruar mbi 2,000 aksidente trafiku, të cilat u morën jetën 22 personave.
Shpejtësia e tejkaluar vazhdon të mbetet faktori kryesor që qëndron pas këtyre bilanceve të zeza. Vetëm gjatë muajit korrik janë regjistruar plot 780 aksidente – shifra më e lartë për këtë periudhë – ndërsa maji ka shënuar numrin më të ulët të aksidenteve.
Në këto incidente nuk janë përfshirë vetëm qytetarë të Maqedonisë së Veriut. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë muajve maj dhe qershor, 95 shtetas të huaj kanë qenë të përfshirë në aksidente trafiku në vend. Për fat të mirë, asnjëri prej tyre nuk ka humbur jetën.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, ka paralajmëruar masa drastike ndaj shoferëve të papërgjegjshëm. Me ndryshimet që po përgatiten në Ligjin për Sigurinë në Rrugë, Ligjin për Kundërvajtjet dhe Kodin Penal, parashikohet konfiskimi i përhershëm i automjeteve për drejtuesit që kapen pa patentë, nën ndikimin e alkoolit apo drogave, si dhe ata që tejkalojnë shpejtësinë në mënyrë ekstreme.
Në kontrast me këtë situatë alarmante, statistikat evropiane tregojnë shembuj që duhen marrë si model. Në vitin e kaluar, Finlanda ishte i vetmi vend i Bashkimit Evropian ku nuk është shënuar asnjë aksident rrugor me pasoja fatale./VOXAL/