
Ahmeti: Shqiptarët e maqedonasit bashkë për liri dhe barazi më 1903
Shqiptarët dhe maqedonasit kanë luftuar bashkë për liri dhe barazi në vitin 1903, thotë kreu i BDI-së Ali Ahmetit, në urimin për Ditën e Ilindenit.
“Dy gushti i vitit 1903 ishte përpjekje e përbashkët e shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve për liri dhe barazi. Ky sunim u realizua nëpërmjet të bashkëqeverisjes dhe ndarjes së barabartë të përgjegjësive për ta drejtuar popullin para 122 viteve”, shkruan Ahmeti.
Sipas tij, sot, dy gushti na gjen në rrethana përballë njëri tjetrit e jo bashkë me njëri tjetrin si dhe me tendenca margjinalizuese dhe të ushtrimit të supremacisë etnike.
“Marrëveshja e Ohrit, e cila paraqet manifest modern të Krushevës, po tentohet që të zhbëhet, duke larguar gjuhën shqipe nga çdo përdorim zyrtar dhe duke cënuar ligjin me drejtësi selektive dhe të dirigjuar, duke larguar flamurin kombëtar shqiptar, duke e anuluar edhe Balanserin dhe Badinterin si garanca për parandalim nga majorizimi dhe mbivotimi, duke mosnjohur rezultatet e regjistrimit të popullësisë dhe duke promovuar politika shtetërore monoetnike me doktrinën “përsëri e ytja””, thotë Ahmeti.