Komandanti i KFOR në Kosovë takohet me David Baker: Riafirmohet angazhimi i SHBA ndaj misionit
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për politikën evropiane dhe të NATO-s David Baker gjatë ditës së sotme (02.08.2025) u takua me Komandantin e misionit të KFOR, Gjeneral Major Enrico Barduani.
Takimi u mbajt në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Në një njoftim në rrjetin social Facebook, KFOR ka thënë se takimi ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të ndarë vizione mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbi rrugën përpara për të mbështetur më së miri një angazhim të ripërtërirë politik për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Z. Baker riafirmoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së ndaj misionit të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”- thuhet në njoftimin e KFOR.
Në anën tjetër Misioni i KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.