Tre të vdekur dhe një fëmijë i plagosur në autostradën Tetovë-Shkup
Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka kryer ekspertizë në vendin e aksidentit të rëndë trafiku që ndodhi pasditen e sotme në autostradën drejt Shkupit, ku humbën jetën tre persona dhe një fëmijë u plagos.
Sipas informacioneve fillestare të prokurorisë, aksidenti ka ndodhur pas përplasjes mes një veture dhe një autobusi, ku automjeti në të cilin ndodheshin viktimat dhe fëmija i lënduar ka dalë nga rruga.
“Po merren të gjitha masat për të hetuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Prokurori ka dhënë urdhër për autopsinë e viktimave dhe ka kërkuar testim për praninë e alkoolit apo substancave të tjera te shoferi i autobusit. Të dy automjetet janë sekuestruar për kontroll teknik të gjendjes së tyre në momentin e aksidentit. Për të sqaruar tërësisht situatën e aksidentit, në vendngjarje është thirrur edhe një ekspert i trafikut, ndërsa do të përgatitet edhe një ekspertizë e plotë teknike bazuar në gjurmët e mbledhura në vendngjarje, dokumentacionin fotografik dhe provat tjera”, thonë nga Prokuroria. /VOXAL/