
Australia ndalon YouTube për fëmijët – Si qëndrojnë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia?
Australia do të ndalojë përdorimin e platformave si YouTube, TikTok, Instagram, Facebook, Snapchat dhe X për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke u bërë vendi i parë në botë që vendos një masë të tillë gjithëpërfshirëse. Vendimi, i cili hyn në fuqi më 10 dhjetor 2025, synon të mbrojë të miturit nga përmbajtje të dëmshme dhe mbledhja e të dhënave personale pa pëlqimin e prindërve. Sipas The Guardian, platformat që nuk e respektojnë këtë rregull do të përballen me gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë.
Qeveria australiane ka njoftuar se këtë nismë do ta prezantojë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me qëllim nxitjen e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të miturve në internet.
Shqipëria ndërmerr masa ndaj TikTok-ut
Ndërkohë, edhe Shqipëria ka ndërmarrë një hap të ngjashëm, të fokusuar te TikTok. Sipas Gazeta Shqip, qeveria shqiptare vendosi të ndalojë aksesin në TikTok për një periudhë njëvjeçare duke filluar nga marsi 2025. Vendimi u mor pas një ngjarjeje tragjike në nëntor 2024, ku përmbajtja në këtë platformë u lidh me nxitjen e dhunës te të rinjtë. Autoritetet shqiptare detyruan ofruesit e internetit të bllokojnë TikTok përmes filtrimit teknik të adresave dhe infrastrukturës së platformës. Masa u mbështet nga shumica e prindërve dhe mësuesve, por u kundërshtua nga opozita dhe organizatat për lirinë e shprehjes.
Prishtina e Shkupi ende në “gjumë”
Në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut nuk ka masa të ngjashme ligjore për ndalimin apo kufizimin e qasjes në rrjete sociale sipas moshës. Politikat e deritanishme janë përqendruar më shumë në edukimin e prindërve dhe të rinjve, sesa në ndërhyrje përmes ligjit.
Shembulli i Australisë, dhe në një masë më të kufizuar, edhe ai i Shqipërisë mund të shërbejë si pikënisje për debat mbi rregullimin e hapësirës digjitale për të miturit edhe në vendet e tjera të Ballkanit, ku deri më tani mungon një qasje e qartë institucionale ndaj kësaj sfide në rritje.
