
Një yll i ri në botën e teknologjisë: Suksesi i Amar Ademit në Gjermani
Në një kohë kur profesione si programimi dhe inteligjenca artificiale janë ndër më të kërkuarat në botë, një i ri nga Kamjani i Tetovës po dëshmon se talenti dhe përkushtimi nuk njohin kufij.
Amar Ademi ka përfunduar me sukses studimet në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin Teknik të Darmstadt-it, një nga universitetet më të njohura në Gjermani për teknologji dhe inovacion. Ai u diplomua në drejtimin “Informatikë”, duke arritur rezultate të shkëlqyera dhe pa përsëritur asnjë provim gjatë gjithë ciklit të studimeve. Teza e tij e diplomës, me titull “Implementation of Batched Threshold Encryption using Smart Contracts for MEV Prevention” (Implementimi i një protokoli për enkriptim të formës “Batched Threshold Encryption” duke përdorur kontrata të zgjuara për të parandaluar MEV), u vlerësua lartë – si në aspektin shkencor, ashtu edhe në atë praktik.
Rruga drejt këtij suksesi ka nisur në vendlindje, ku Amar Ademi e nisi shkollimin fillor në Kamjan në shkollën “Sabedin Bajrami” dhe më pas në shkollën “Liria” në Tetovë. Arsimin e mesëm e përfundoi në shkollën e mesme prestigjioze “Yahya Kemal”, ku për shkak të rezultateve të jashtëzakonshme u përfshi në grupin e nxënësve me bursë. Në vitin e tretë të kolexhit, talenti i tij në matematikë u kurorëzua me vendin e parë në një konferencë evropiane të mbajtur në Poloni – një arritje që dëshmon përgatitjen dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme.
Në vitin 2021, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga pandemia, Amari aplikoi dhe u pranua në disa universitete prestigjioze evropiane, përfshirë Universitetin e Degendorfit (drejtimi Inteligjencë Artificiale) dhe Darmstadtit (drejtimi Informatikë), ku më pas zgjodhi të ndjekë rrugëtimin e tij akademik.
Gjatë rrugëtimit të tij në univerzitet, ai ishte pjesë e një ekipi që zhvillonte produkte për një nga gjigantët më të mëdhenj të telekomunikacionit në botë. Sot, Amari i është bashkuar një kompanie që udhëheq në fushën e shitjeve dixhitale të produkteve dhe inxhinierisë së softuerit të personalizuar për mjetet e zhvilluesve, ku do të kontribuojë në zhvillimin e zgjidhjeve inovative dhe të shkallëzueshme për tregun global.
Suksesi i tij është jo vetëm arritje personale, por edhe një frymëzim për të rinjtë shqiptarë nga të gjitha trevat. Ai dëshmon se me vullnet, punë dhe përkushtim, çdo ëndërr mund të bëhet realitet – qoftë ajo në një fshat të vogël në Maqedoninë e Veriut, qoftë në zemër të teknologjisë gjermane.
I urojmë Amarit suksese të mëtejshme në karrierën e tij dhe shpresojmë që rrugëtimi i tij të jetë motivim për brezat e ardhshëm të dijes dhe inovacionit!