
Komisioni i Venecias në shtator do të bëj vlerësimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë
Qeveria ka marrë konfirmim nga Komisioni i Venecias që në shtator do të bëjnë vlerësimin në Shkup, rreth draft-ligjit për përfaqësim të drejtë. Informacionin e bëri të ditur zv.kryeministri Arben Fetai.
“Këtë javë kemi marrë informacion kthyer nga Komisioni i Venecias se do të ketë një mission vlerësues ku, sipas praktikës së tyre, ata do të vinë në Shkup gjatë muajit shtator për të intervistuar palët e përfshira në këtë proces dhe për të dhënë mendimet e tyre rreth projekt ligjit në fjalë”, tha Arben Fetai, Zv.kryeministër.
Drafti është dërguar në Komisionin e Venecias javë më parë dhe pritet vlerësim për Kushtetutshmërinë dhe harmonizimin e tij me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Fetai tha se pushteti ku bën pjesë dhe koalicioni VLEN, po u jep fund disa nga politikave diskriminuese për shqiptarët. Në këtë drejtim ai foli edhe për ligjet e reja për administratën publike me të cilat do të shfuqizohen titujt bashkëpunëtor i ri dhe referent i ri.
“Ky titull nuk ishte vetëm gradë profesionale. “Bashkëpunëtor i ri” ishte etiketë e padrejtësisë. Njerëz të shkolluar me përvojë dhe me përkushtim profesional mbetën të bllokuar në pozitën më të ulët të mundshme për vite me radhë. Ata u punësuan por nuk u avancuan. Asnjëherë nuk u vlerësuan dhe u poshtëruan në mënyrë sistematike. Ata u lanë në harresë institucionale vetëm pse ishin shqiptarë dhe nuk kishte kush t’u del zot”, shtoi Arben Fetai, Zv.kryeministër.
Tre ligjet për reformat në administratën publike u miratuan në gjysmën e parë të korrikut./Alsat.mk