Aksident me tre të vdekur në ishullin grek Argolis, kamionçina përplaset me një ‘Xhip’
Një aksident i rëndë trafiku me pasojë vdekjen e tre personave ndodhi pasditen e sotme në kilometrin e 3-të të rrugës kombëtare që lidh Mikenën e Lashtë me Tirinën, në rajonin e Argolis.
Sipas informacioneve nga Policia, në aksident u përfshi një automjet me nëntë pasagjerë, i drejtuar nga një shtetas kinez 41-vjeçar.
Brenda automjetit ndodheshin gjithashtu edhe dy shtetas të tjerë kinezë, përkatësisht një 41-vjeçar dhe një 48-vjeçar. Në rrethana që po hetohen, automjeti është përplasur me një kamion që drejtohej nga një 48-vjeçar.
Menjëherë pas përplasjes, në vendngjarje mbërritën 12 zjarrfikës me katër automjete, të cilët nxorën nga makina tre shtetasit kinezë në gjendje pa ndjenja. Viktimat u transportuan me ambulancë në spital, ku mjekët konstatuan vdekjen e tyre.
Drejtuesi i kamionit është arrestuar nga policia, ndërkohë që Departamenti i Policisë Rrugore Argos-Mikenës ka nisur një hetim paraprak për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik.