
Bllokohen llogaritë bankare për disa komuna, Ibrahimi: Komunave iu kanë marrë mbi 210 milionë euro
Pesë komuna në Kosovë janë duke u përballur me bllokimin e llogarive të tyre bankare, duke rrezikuar seriozisht funksionimin e rregullt të institucioneve lokale dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Për këtë, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një deklaratë për KosovaPress thekson se problemi qëndron tek niveli qendror që nuk po konsultohet me komunat për “mjetet që po ua merr”. Ai thotë se, komunat që u përballen me këtë dukuri, janë komuna e Ferizajt, Lipjanit, Drenasit, Vushtrrisë dhe Junikut.Lidhur me këtë, Ministria e Financave, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk është përgjigjur në pyetjet e KosovaPress.
Ibrahimi: Niveli qendror nuk po konsultohet fare me komunat
Ibrahimi: Komunave i’u morrën mbi 210 milione euro
“Deri më tani, Komunave të Republikës së Kosovës që nga viti 2022 e deri në fund të qershorit, i’u kanë marrë mbi 210 milionë euro për shkak të vendimeve gjyqësore ku në shumicën e rasteve kanë të bëjnë me kontrata kolektive. Në vitin 2022 komunave i’u kanë marrë mbi 36 milionë euro, në vitin 2023 mbi 40 milionë euro, në vitin 2024 janë mbi 86 milionë euro, në këtë vit në gjysmë-vjetorin e parë janë mbi 47 milionë euro dhe shuma totale po del që është mbi 210 milionë euro”, tha ai.
Ibrahimi gjithashtu theksoi se niveli qendror e ka një mënyrë të thjeshtë për zgjidhjen e problemit, por se kjo çështje nuk është brengë e tyre.
Ibrahimi: Niveli qendror nuk ka gatishmëri për të zgjidhur problemin
Për komunën e Lipjanit, u deklarua nënkryetari i Lipjanit Diamant Bytyqi i cili u shpreh për KosovaPress se nuk kanë marrë asnjë informacion nga Ministria e Financave për arsyet e bllokimit.
Bytyqi: Nuk kemi informacione
“Jo, nuk kemi informacione, as nuk na kanë dërgua shkresa as asgjë hiç, as nuk kemi informacion për çfarë arsye. Nuk e dimë a janë prej kontratës kolektive a nëse veç i kanë ekzekutua vetë, nuk na kanë dërgua as një informacion”, tha ai.