DAP zbulon shkelje në fiskalizim te një e treta e bizneseve të kontrolluara
Drejtoria e të Ardhurave Publike informon opinionin se, në përputhje me Ligjin për regjistrimin e pagesave me para të gatshme (LRPPG), gjatë muajit qershor dhe gjysmës së parë të muajit korrik të vitit 2025, ka realizuar gjithsej 883 kontrolle në terren ndaj tatimpaguesve në të gjithë territorin e Maqedonisë. Gjatë këtij periudhe, te 294 subjekte të kontrolluara janë konstatuar parregullsi, për të cilat janë shqiptuar gjoba, si më poshtë:
- 212 gjoba për moslëshim të faturave fiskale;
- 49 gjoba për mosmbajtje të librit të raporteve financiare ditore;
- 20 gjoba për fatura fiskale pa elementet e përcaktuara me ligj;
- 8 gjoba për pajisje fiskale rezervë të paregjistruara;
- 2 gjoba për pajisje fiskale të parregullta;
- 1 gjobë për moslëshim të bllokut paragon;
- 1 gjobë për mosshfrytëzim të pajisjes fiskale të miratuar;
- 1 gjobë për mosmbajtje të librit të kontabilitetit emergjent.
Kontrollet ishin të përqendruara te tregtarë, shërbime të gastronomisë në gjithë vendin dhe subjekte që ushtrojnë veprimtari në zona turistike dhe lokacione me frekuencë të lartë vizitorësh, siç janë: objekte gastronomike, akva-parqe, plazhe, pishina dhe objekte për dhënien me qira të pajisjeve sportive-rekreative.
Drejtoria e të Ardhurave Publike rikujton obligimet e përcaktuara në Ligjin për regjistrimin e pagesave me para të gatshme (LRPPG), sipas të cilit:
- Çdo qarkullim duhet të regjistrohet përmes pajisjes fiskale të miratuar;
- Është i detyrueshëm përdorimi i pajisjeve fiskale të miratuara në numër të mjaftueshëm;
- Për çdo shitje duhet të lëshohet faturë fiskale;
- Në librin e raporteve financiare ditore duhet të regjistrohet qarkullimi për çdo arkë fiskale në kohë;
- Më së voni ditën tjetër, qarkullimi ditor duhet të derdhet në llogarinë transaksionale të bartësit të pagesës;
- Në vend të dukshëm duhet të jetë i vendosur njoftimi për detyrimin për të kërkuar faturë fiskale.
Këto obligime vlejnë për të gjithë subjektet – përfshirë edhe ato që nuk janë tatimpagues të TVSH-së, si dhe për subjektet që ushtrojnë veprimtari sezonale. Qëllimi i këtyre masave është forcimi i pajtueshmërisë tatimore, krijimi i një mjedisi afarist të ndershëm dhe transparent, si dhe sigurimi i trajtimit të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.