Përmbytje të frikshme në Nju Jork pas reshjeve të dendura, uji hyri edhe në metro
Pas reshjeve të mëdha, thuajse i gjithë Nju Jorku u përmbyt, përfshirë edhe stacionet e metrosë, çka bëri që disa linja të mos funksionojnë. Koha në qytetin amerikan ka filluar të stabilizohet, por në rrjetin X ende shpërndahen video nga përmbytjet e tmerrshme.
Pas përmbytjeve në Teksas, ku pati edhe viktima, SHBA-të po përballen me një tjetër katastrofë natyrore – këtë herë përmbytje në qytetin e Nju Jorkut.
Që nga dita e diel (13 korrik), kur reshjet e dendura nisën në zonën e qytetit, autoritetet dolën me një paralajmërim për rrezik nga përmbytjet.
Banorëve që jetojnë në bodrume apo hapësira të nëndheshme iu kërkua të përgatiten për evakuim, pasi rreziku nga përmbytjet u rrit ndjeshëm.
Për qytetarët e tjerë u lëshua një apel që të mos dalin jashtë dhe të shtyjnë të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme.
Reshjet e dendura vazhduan gjatë natës dhe rrugët në mbarë qytetin u përmbytën. Uji hyri edhe në sistemin e metrosë, duke nxjerrë jashtë funksionit disa linja.
Përmbytje janë regjistruar edhe në pjesë të shtetit Nju Xhersi.
Reshjet janë zbutur që mbrëmë dhe meteorologët parashikojnë që moti të jetë i qëndrueshëm deri në mbrëmje.
Lajmi i mirë në gjithë këtë katastrofë është se nuk raportohet për të vdekur apo të lënduar rëndë.
Niveli i ujit në zonat e përmbytura është ulur, por në rrjetin X (Twitter) vazhdojnë të qarkullojnë video tronditëse, shumica e të cilave janë filmuar dje.