Në deponinë e vogël në OHIS ka më shumë linadan dhe merkur se sa pritej – pastrimi mund të kushtojë deri në 20 milionë euro
Në deponinë e vogël në OHIS janë zbuluar 50 për qind më shumë linadan se sa vlerësohej fillimisht, ndërsa aty janë gjetur edhe rreth 70 tonë merkur që duhet të largohet dhe asgjësohet në mënyrë të sigurt. Kështu tregojnë analizat e kompanisë holandeze TAU, të përfunduara në maj të këtij viti. Sipas të dhënave të reja, edhe pse është konstatuar se toka e kontaminuar është më pak se sa pritej, pastrimi i kësaj deponie do të zgjasë edhe tre vite dhe do të kushtojë nga 10 deri në 20 milionë euro.
Në këtë deponi janë mbetur:
-
636 tonë linadan,
-
2.613 tonë tokë e kontaminuar,
-
1.120 tonë beton i ndotur,
-
dhe rreth 70 tonë merkur.
Rreth 1.781 tonë tokë që ndodhet mes pishinave të mbuluara me ndotje të ulët nuk do të pastrohet termikisht dhe do të mbetet në vend.
“Analiza u prezantua në maj përpara përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit, Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë dhe ekspertëve vendorë të mjedisit, ku u diskutuan edhe zgjidhje të mundshme për pastrimin”, bëjnë të ditur nga Ministria e Mjedisit Jetësor.
Në krahasim me analizat e mëhershme, tani ka:
-
51% më shumë mbetje të HCH,
-
por 61% më pak tokë të ndotur.
Sipas ekspertëve të TAU, janë përgatitur dy skenarë financiarë:
-
Skenari i parë përfshin trajtim termik të të gjithë mbetjeve, përfshirë thyerjen, grimcimin dhe transportin e betonit të ndotur – dhe kushton rreth 20 milionë euro.
-
Skenari i dytë parasheh trajtim vetëm për mbetjet dhe tokën, ndërsa betoni mbështillet me geomembranë dhe deponohet në vendin e pishinave të hapura – dhe kushton rreth 10.5 milionë euro.
Të dy skenarët parashikojnë kohëzgjatje 36 mujore për përfundim të pastrimit.
Aktualisht, në fondin shumëpalësh për pastrim, ka vetëm 600.000 euro, të siguruara nga Qeveria. Deri më tani kanë kontribuar edhe Mbretëria e Norvegjisë dhe Bashkimi Evropian.
“Vazhdimi i pastrimit varet nga sigurimi i fondeve shtesë. UNOPS, Ministria dhe Sekretariati i Përgjithshëm janë në kërkim aktiv të tyre. Çdo proces përzgjedhjeje të kompanisë për pastrim do të bëhet sipas rregullave të UNOPS-it”, thonë nga Ministria.
Pastrimi i linadanit në OHIS nisi në shtator të vitit 2021. Deri tani janë transportuar dhe asgjësuar:
-
1.932 tonë mbetje të përqendruara HCH,
-
dhe 586 tonë tokë e kontaminuar me HCH.
Lindani është dërguar për asgjësim në Tredi në Francë, ndërsa toka e ndotur në Indaver në Gjermani.
Në oborrin e OHIS-it ndodhet edhe deponia e madhe me rreth 50.000 tonë linadan, ndërsa në Pelencia pranë Draçevës gjenden edhe 40.000 tonë HCH të pastër dhe 6.500 tonë mbetje të përziera bashkë me mbeturina nga një fabrikë qelqi.META