Rritje e rasteve të të fikëtit – disa përfunduan me pasoja fatale
Gjatë fundjavës së kaluar janë shënuar 12 raste të rënies së vetëdijes në vende publike, prej të cilave disa kanë përfunduar fatkeqësisht me vdekje. Mjeku i Ndihmës së Shpejtë, Rihad Rexhepi, thotë për Alsat se është rritur edhe numri i thirrjeve për transport të pacientëve drejt spitaleve apo nga spitalet për në shtëpi.
“Mbrëmë kishim një zjarr në Zllokuqan, ku ekipi ynë ndërhyri 13 herë. Tre persona përfunduan në spital, për fat të mirë vetëm me lëndime të lehta,” tha Rexhepi.
Ai shtoi se vetëm nga dita e premte deri sot janë realizuar 198 intervenime: 88 raste urgjente dhe 112 raste më të lehta.
Gjatë ditëve të fundit me temperatura të larta dhe zjarre në disa zona të Shkupit, një nga shoferët e Ndihmës së Shpejtë përfundoi në Klinikën e Toksikologjisë për shkak të thithjes së tymit. Ai ka qenë i punësuar me kontratë vepre dhe nuk ka pasur sigurim shëndetësor.
“Është për të ardhur keq, por shoferi ka mbi 10 vite që punon tek ne dhe ende nuk ka kontratë të rregullt. As sigurim, as të drejta të tjera elementare,” theksoi Rexhepi.
Ndihma e Shpejtë apelon për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura ekstreme, duke theksuar se shumë raste të rënies së vetëdijes ndodhin brenda veturave. Prindërit luten të mos i lënë fëmijët vetëm në makina, edhe për pak minuta.