Listë e gjatë e pronave të sekuestruara në RMV
Shtëpi, apartamente, hapësira afariste, kapacitetet prodhuese, fabrikë për kultivimin e kërpudhave, ferma pulash, mulli gruri, toka bujqësore,vegla dhe makineri bujqësore si dhe shumë ndërtesa biznesi , livadhe dhe kullosa… janë disa nga pronat e patundshme në listat e shitjeve të ofruara nga bankat komerciale në Maqedoni, si një zgjidhje përfundimtare për mbledhjen e kredive me probleme, ose më saktë kredive që përdoruesit nuk arrijnë t’i shlyejnë për arsye të caktuara. Bankat vendosin t’i nxjerrin pronat në shitje vetëm si mjet i fundit. Njëherësh, shpesh kjo është rezultat i pamundësisë së pronarëve për të shlyer në kohë kreditë e marra në bankë, të cilat më pas sekuestrohen për shkak të kredive të papaguara dhe tani ofrohen për shitje. Pra, bëhet fjalë për pronë të sekuestruar për shkak të borxheve të papaguara dhe mbledhjes së detyruar të borxheve nga huadhënësit.
Mirëpo, nuk janë të gjitha këto prona interesante për blerësit si rasti i njohur në opinion i shitblerjeve të tillë që u realizua 7 vite më parë. Kompania e Prilepit “Vitaminka” nga Banka Komerciale bleu pronën e “Brilliant” nga Shtipi. Kompania ushqimore e Prilepit hapi një cikël investues prej 7.3 milionë euro në pasuri të paluajtshme, tokë, pronë të luajtshme dhe të drejta pronësie industriale. Bëhet fjalë për ndërtesa afër 5000 metra katrorë dhe tokë me të drejtë pronësie rreth 21500 metra katrorë. Prona e ish-fabrikës së naftës Brilliant ishtë në pronësi të Bankës Komerciale dhe ishte marrë si garanci për një kredi të pakthyeshme. Marka “Brilliant” do të mbetet në terren, ndërsa vaji ushqimor përdoret si lëndë e parë për një pjesë të gamës së produkteve të “Vitaminka.
Pasuritë e paluajtshme që shiten nga bankat në vendin tonë, sipas njohësve të kësaj problematike nuk janë një pronë që shitet lehtë. Ndodh që disa nga objektet presin me vite derisa të marrin pronarë të rinj, kështu që pronat janë në listat e bankave për një periudhë të gjatë. Për ata që duan të blejnë një pronë ose një ndërtesë biznesi me një çmim më të ulët, do të duhet të bëjnë një përpjekje në kërkim. Çdo bankë ka një listë ose listë të pasurive të paluajtshme që shet në faqen e saj të internetit.
Mos pagesa ose pamundësia për të paguar këstet e kredisë çon rregullisht në marrjen në dorëzim të pronës që ishte hipotekuar si kolateral nga banka kreditore. Banka Popullore thotë se trajtimi i aseteve të sekuestruara në bazë të kërkesave të papaguara nga bankat është një çështje që bie në fushën e vendimmarrjes së tyre të biznesit.
Sipas të dhënave nga Banka Popullore, në fund të vitit 2024, vlera totale neto e aseteve të marra përsipër nga bankat arriti në rreth 487 milionë denarë (pothuajse tetë milionë euro), që përfaqëson vetëm 0.06 për qind të totalit të aseteve të sistemit bankar. “Kjo tregon se këto asete nuk kanë një pjesë të konsiderueshme në strukturën e bilanceve të bankave”, thekson Banka Popullore. Megjithatë, ekziston një numër i madh pronash që reklamohen vazhdimisht në faqet e internetit të bankave, dhe ndonjëherë ato publikohen edhe në platforma standarde ose reklamohen në gazeta, veçanërisht kur bëhet fjalë për një përpjekje për t’i shitur me ankand publik.
Disa nga këto prona nuk janë shitur prej vitesh. I tillë është rasti me hapësirat e ish fabrikës së Tekstilit në Manastir , të cilën Stopanska Banka nga Manastiri e ofron për shitje në faqen e saj të internetit prej disa vitesh. Stopanska Banka nga ana tjetër si një nga tre bankat më të mëdha në vend ofron në shitje hotelin me spa qendër me mbi 4000 plus 10 mijë metra katror në Vinicë. Banka Komerciale shet qumështore në Koçan. /Koha/