
SHBA-ja kërkon përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar sërish përfundimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Këtë kërkesë e ka bërë të ditur e ngarkuara me punë e Misionit të SHBA-ve në OKB, ambasadorja Dorothy Shea, pas një takimi në Uashington me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Kisha nderin të takohem me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Kosovën si një partnere të ngushtë strategjike dhe janë fuqimisht të përkushtuara ndaj njohjes së saj të plotë në Kombet e Bashkuara. Ka ardhur koha që të mbyllet UNMIK-u”, ka shkruar ambasadorja në platformën X.
Nga ana e saj, presidentja Osmani ka falënderuar SHBA-të për përkrahjen e vazhdueshme dhe ka theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
“Mirënjohëse për riafirmimin e qartë të Shteteve të Bashkuara se Kosova mbetet partner i ngushtë strategjik i SHBA-ve dhe se aleatët tanë amerikanë janë fuqimisht të përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara,” ka shkruar ajo në Facebook.
Osmani ka shtuar se në takim është diskutuar edhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
Ndryshe, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka nisur më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kjo rezolutë u miratua pas përfundimit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë dhe tërheqjes së forcave serbe. UNMIK u vendos për të administruar përkohësisht Kosovën, për të ndihmuar në rindërtimin e institucioneve, sigurimin e rendit dhe ligjit, si dhe për të lehtësuar procesin politik drejt një zgjidhjeje të statusit përfundimtar të Kosovës.
Në vitet që pasuan, përgjegjësitë e UNMIK-ut janë zvogëluar ndjeshëm, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe vendosjes së misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. Megjithatë, UNMIK ende ekziston formalisht dhe vazhdon të ketë një prani të kufizuar në Kosovë.