Sulmohet fizikisht Danella Arsovska, Komuna e Çairit e dënon incidentin
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska është sulmuar fizikisht nga persona akoma të panjohur derisa ndodhej në territorin e Komunës së Çairit bashkë me ekipin e saj për të detektuar siç pretendon ajo ndërtimet pa leje.
Arsovska mësohet se është goditur në fytyrë pas çka ka kërkuar ndihmën mjekësore dhe është dërguar në emergjencë në Spitalin 8 Shtatori në Shkup. Policia është adresuar në vendin e ngjarjes për të marrë masa mbi zbardhjen e rastit.
Arsovska tashmë disa javë frekuenton në Çair me pretendimet se po detekton ndërtesa pa leje që sipas saj datojnë në dy mandatet e fundit të kreu të Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Për pretendimet e saja, Arsovska ka dorëzuar dokumente edhe në polici dhe prokurori.
Komuna e Çairit e ka dënuar ashpër incidentin e ndodhur së fundmi mes Kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dhe disa individëve në territorin e kësaj komune.
Nga atje thonë se akte të tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë një shkelje serioze të normave të sjelljes në një shoqëri demokratike dhe të civilizuar.
“Duke vlerësuar rëndësinë e informimit të drejtë të opinionit publik, theksojmë se ngjarja në fjalë nuk ka asnjë lidhje me institucionin tonë. Asnjë i punësuar apo funksionar i Komunës së Çairit nuk ka qenë i përfshirë dhe as i pranishëm në vendin ku ndodhi incidenti.
Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, respektimit të institucioneve dhe promovimit të bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë territor”, thuhet në reagimin e komunës.