Çairi kujton Srebrenicën
Me një marsh simbolik nga Komuna e Çairit deri te memoriali i Srebrenicës në Parkun e Çairit, u shënua 30-vjetori i një prej tragjedive më të mëdha të njerëzimit – gjenocidi ndaj mbi 8 mijë civilëve boshnjakë të vrarë në korrik të vitit 1995, për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe fetare.
Përkujtimi u shoqërua me pjesëmarrje të gjerë institucionale dhe qytetare, përfshirë Zëvendëskryeministrin Arben Fetai, deputetë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, drejtues institucionesh publike dhe përfaqësues të shumtë të komunitetit boshnjak – një komunitet me traditë të gjatë në Çair, i cili ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e kujtesës historike dhe në kultivimin e vlerave të respektit dhe bashkëjetesës, njoftojnë nga komuna.
Kujtesa për Srebrenicën përbën një komponent thelbësor të ndërgjegjes sonë kolektive dhe një element kyç në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike, shtojnë nga komuna.
