
Ndërtimet pa leje në Theth: Shkarkohen të gjithë drejtuesit e policisë së Shkodrës
Pas skandalit të ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, njoftoi masa të rënda disiplinore ndaj strukturave policore në Shkodër. Drejtori vendor Fatmir Lleshi dhe shefi i Komisariatit, Nik Nikolla, janë shkarkuar nga detyra, ndërsa shefi i Stacionit të Policisë në Theth është pezulluar. Po ashtu, ka nisur procedurë disiplinore ndaj inspektorit të zonës dhe specialistit të krimeve.
Në një konferencë për shtyp, Proda tha se të gjithë këta funksionarë “nuk e meritojnë të jenë më pjesë e Policisë së Shtetit”, duke theksuar se mosveprimi i tyre ka lejuar shkelje të rënda në një prej zonave më të rëndësishme turistike dhe natyrore të Shqipërisë.
“Është e papranueshme që ne të vihemi në lëvizje vetëm pasi abuzimi është bërë mal në sytë e komunitetit. Çdo zaptim i hapësirave publike dhe ndërtim pa leje duhet të ndalohet në kohë,” – deklaroi Proda.
Ai shtoi se, ndonëse Policia e Shkodrës ka referuar rastin në Prokurori, kjo nuk i përjashton nga përgjegjësia, pasi ndërtimet pa leje nuk janë vetëm një apo dy. Përkundrazi, janë kthyer në fenomen të shtrirë në qendër të Thethit.
Proda tha se është urdhëruar një hetim i thelluar nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe paralajmëroi masa të ngjashme në të gjitha qarqet ku konstatohet mosveprim i ngjashëm.
Prioritetet e sezonit turistik dhe paralajmërimet e reja
Shefi i Policisë deklaroi se strukturat e policisë do të kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo rast ndërtimi të paligjshëm, zaptimi të hapësirave publike apo ndotjeje të mjedisit. Një theks i veçantë iu kushtua edhe parkimeve të dyfishta në rrugë, të cilat tashmë do të trajtohen si vepra penale, sipas nenit 293 të Kodit Penal.
“Me gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve. Rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj,” – shtoi ai.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe tensionet në Theth
Këto zhvillime vijnë në vazhdën e një aksioni të gjerë për lirimin e hapësirave publike në qytete të ndryshme, përfshirë edhe Thethin. Kryeministri Edi Rama u ka dhënë strukturave të rendit ultimatum për të ndërhyrë ndaj bizneseve që kanë uzurpuar hapësira publike.
Një ditë më parë, situata u tensionua në Theth, ku banorët bllokuan urën hyrëse të fshatit dhe u përplasën me policinë në shenjë proteste ndaj shembjes së ndërtimeve pa leje.
Proda u bëri thirrje qytetarëve dhe bashkive të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit për të denoncuar çdo rast abuzimi apo mosveprimi. Ai theksoi se “kultura e heshtjes dhe e mosndërhyrjes duhet të marrë fund”.