Mbyllet sërish kufiri në Bllacë, ndërpritet komunikacioni tërësisht
Pika kufitare në Bllacë është mbyllur plotësisht për shkak të riaktivizimit të zjarrit në afërsi të zonës kufitare. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se është ndërprerë tërësisht komunikacioni në të dy drejtimet në rrugën Shkup–Bllacë, ndërsa qarkullimi i automjeteve dhe kalimi i qytetarëve është pezulluar deri në një njoftim të radhës.
MPB, në bashkëpunim me institucionet kompetente, ka nisur ndërhyrje për shuarjen e zjarrit dhe garanton se po merren të gjitha masat për menaxhimin e situatës.
U bëhet thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë drejt pikës kufitare në Bllacë deri në normalizimin e gjendjes. Publiku do të informohet me kohë për zhvillimet e mëtejshme.