
Gjykata e Lartë lë në burg Veliajn
Gjykata e Lartë la në qeli kryetarin e bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj.
Ai i kërkoi kësaj Gjykate shfuqizimin e masës së sigurisë, arrest në burg.
Sipas SPAK kreu i bashkisë së Tiranës, mund të ndikojë në proces për shkak të rolit politik që ka, diçka që mbrojtja e Veliajt dhe vetë ai, e kanë kundërshtuar me forcë.
Sipas tyre përsa kohë nuk ekziston një akuzë zyrtare, por vetëm dyshime për kryerjen e veprave penale, ai nuk mund të mbahet në kushtet e paraburgimit.
Erjon Veliaj u arrestua brenda zyrës së bashkisë më të madhe në vend, nën dyshimet se ka kryer korrupsion e pastrim parash në bashkëpunim me katër biznesmenë si dhe me gruan e tij, Ajola Xoxa.
Sipas organit të akuzës, dyshohet se ai vuri në dispozicion të tyre leje ndërtimi, ndërsa në këmbim, biznesmenët i kanë dhënë atij rryshfet përmes kompanive të cilat kontrolloheshin direkt apo indirekt nga bashkëshotrja e tij.
Pas arrestit, ndaj Veliajt iu shtuan dyshimet se ka kryer edhe fshehje pasurie dhe ka futur sende të paligjshme në burg.