
Ushtarë të Maqedonisë së Veriut patrullojnë në Pejë
Ushtarët nga Maqedonia e Veriut, që shërbejnë nën Komandën Rajonale Perëndim të KFOR-it po kontribuojnë në stabilitetin rajonal përmes patrullimeve të rregullta në komunën e Pejës, njoftoi misioni paqeruajtës i NATO-s, duke publikuar një video në Facebook.
“Patrullimi mbetet një aktivitet thelbësor për trupat e KFOR-it, i kryer me transparencë dhe paanshmëri. Prania e tyre e vazhdueshme në terren ndihmon në monitorimin e situatës së sigurisë, në nxitjen e besimit mes komuniteteve lokale dhe në mbështetjen e një ambienti të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sipas të dhënave, 67 ushtarë nga Maqedonia e Veriut, përfshi disa shqiptarë, janë pjesë e misionit KFOR në Kosovë.