Kushtetuesja shfuqizoi dispozitat e Metodologjisë për regjistrimin e popullsisë
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për shfuqizimin e disa dispozitave të Metodologjisë që është përdorur në Regjistrimin e Popullsisë, Familjeve dhe Banesave të vitit 2021.
Gjykata vlerëson se Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës ka tejkaluar kompetencat e tij, pasi përmes një akti nënligjor – Metodologjisë – ka kryer kategorizimin e popullsisë në rezidente dhe jorezidente, pa pasur një bazë të tillë në ligj. Ligji për Regjistrimin nuk parashikon që ky lloj kategorizimi të bëhet me metodologji apo ndonjë akt tjetër administrativ.
“Në lëndën U.nr.251/2025, që lidhet me dispozita të Metodologjisë së zbatimit të Regjistrimit 2021, ju njoftojmë se Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, ka shfuqizuar: Pjesën II “Pjesa e Përgjithshme”, pika 5, nënseksionin 1 në pjesën “Popullsia e përgjithshme rezidente – Njësitë e Regjistrimit”, Dhe nënseksionin 2 në pjesën “Popullsia e përgjithshme jorezidente – Njësitë e Regjistrimit”, të Metodologjisë për përgatitjen, organizimin dhe zbatimin e regjistrimit të popullsisë, familjeve dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 2021. Sipas vlerësimit të Gjykatës, këto pjesë të Metodologjisë janë në kundërshtim me parimet themelore të rendit kushtetues – veçanërisht me parimin e sundimit të ligjit të garantuar me nenin 8 paragrafi 1 rreshti 3 të Kushtetutës – si dhe me obligimin që aktet nënligjore të jenë të harmonizuara me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse (neni 51). Po ashtu, është konstatuar shkelje edhe të neneve 6, 7 dhe 17 paragrafi 2 të Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, Familjeve dhe Banesave 2021″.
“Duke qenë se vendimi është shfuqizues dhe jo anulues, ai nuk do të ketë efekt prapaveprues mbi regjistrimin e vitit 2021, i cili tashmë është realizuar. Vendimi do të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare dhe do të vlejë për të gjitha aktet nënligjore që do të miratohen në të ardhmen,” thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese.