Zelensky nënshkruan marrëveshjen për tribunalin që mund të gjykojë Putinin
Në një hap të paprecedentë drejt drejtësisë ndërkombëtare, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkroi të mërkurën një marrëveshje me Këshillin e Evropës për themelimin e një tribunali të posaçëm për krimin e agresionit – një trup gjyqësor që synon të nxjerrë para drejtësisë ata që urdhëruan pushtimin rus të Ukrainës.
Tribunali do të fokusohet te politikanët dhe komandantët e lartë ushtarakë përgjegjës për nisjen e luftës, përfshirë edhe presidentin rus Vladimir Putin.
“Çdo kriminel lufte duhet ta dijë se drejtësia do ta arrijë – edhe në Rusi,” tha Zelensky në Strasburg, pas nënshkrimit të marrëveshjes me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.
“Do të duhet guxim politik dhe ligjor për t’i sjellë para drejtësisë – përfshirë Putinin,” tha më tej ai para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Mesazhi është i qartë: agresioni nuk do të mbetet pa ndëshkim. Në platformën X, Zelensky e përforcoi thirrjen e tij: “Këtë duhet ta bëjmë së bashku, si Evropë.”
Tribunali, i cili pritet të nisë punën vitin e ardhshëm, do të ketë mandatin për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e “krimit të agresionit”, një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare që nënkupton përdorimin e forcës ushtarake kundër një shteti tjetër në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Këshilli i Evropës ka lënë të hapur mundësinë që të ndiqen edhe shtetas të Bjellorusisë apo Koresë së Veriut, nëse provohet se kanë ndihmuar në aktin e agresionit.
Kjo është hera e parë që një tribunal i tillë themelohet nën ombrellën e Këshillit të Evropës – institucioni më i lartë për të drejtat e njeriut në kontinent, i cili aktualisht përfshin 46 shtete anëtare. Rusia u përjashtua nga Këshilli menjëherë pas pushtimit të Ukrainës.