
“One Stop Shop” në Tabanoc – VLEN: Lehtësim konkret për mërgatën dhe qytetarët
Në prag të sezonit veror, Kuvendi miratoi funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” edhe në pikën kufitare të Tabanocit – një hap drejt modernizimit të shërbimeve kufitare dhe lehtësimit të lëvizjes, veçanërisht për mërgatën shqiptare.
Ky model, që tashmë funksionon në Bllacë dhe Jazhincë, synon të reduktojë pritjet, të eliminojë burokracinë dhe të sigurojë një kalim më të shpejtë dhe efikas.
Lëvizja VLEN, që ka promovuar këtë reformë, e cilëson vendimin si një përmbushje të premtimit ndaj qytetarëve. “Shteti duhet të jetë në shërbim të qytetarit, jo t’ia vështirësojë jetën”, thuhet në deklaratën e tyre.
Sipas VLEN, “One Stop Shop” nuk është vetëm zgjidhje teknike, por pjesë e një filozofie të re për administratë efikase, transparente dhe të përqendruar te qytetari – veçanërisht ndaj mërgatës, e cila mbetet shtyllë e zhvillimit të vendit.
VLEN konfirmon angazhimin për reforma konkrete që përmirësojnë jetën e përditshme dhe uron mirëseardhje për mërgatën, me kufij më të shpejtë, më të lehtë dhe më dinjitoz.