Zjarri mbi Llojan dhe Vaksincë vazhdon për të tretën ditë – ndërhyrje të vështira
Zjarri që ka përfshirë zonën malore mbi fshatrat Llojan dhe Vaksincë në komunën e Likovës është ende aktiv për të tretën ditë radhazi, njoftoi sot Qendra Rajonale e Menaxhimit të Krizave në Kumanovë.
Sipas njoftimit, ekipet e “Pyjeve Kombëtare” janë në terren dhe po ndërhyjnë me automjete motorike për të luftuar flakët që kanë përfshirë barin e thatë dhe pyje me bimësi të ulët. Punonjësit e degës së Kumanovës kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin dhe të parandalojnë përhapjen e tij drejt zonës së banuar në Llojan.
Zjarre të tjera janë regjistruar edhe në rajonin e Nagoriçanit të Vjetër, ku zjarrfikësit po shuanin flakët që kishin përfshirë bar të thatë, sipërfaqe me drithëra dhe vreshta në zonën mes fshatrave Kleçovcë dhe Dozvençë.
Ndërkohë, në Kumanovë, bar i thatë u përfshi nga flakët pranë rrugës “Industriska”, por u shua në kohë nga zjarrfikësit vendorë. Po të njëjtët ndërhynë edhe në një shtëpi familjare në qytet, ku zjarri kishte përfshirë kuzhinën.