Mbi 216 mijë pasaporta bullgare u janë dhënë shtetasve të Maqedonisë
Gjatë një periudhe prej gati dy dekadash, mbi 216 mijë qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaportë bullgare, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme i Bullgarisë, Daniell Mitov.
Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara nga Mitov, nga 1 janari i vitit 2007 deri më 17 qershor të vitit 2025, gjithsej 216.594 persona me origjinë nga Maqedonia e Veriut kanë përfituar shtetësi bullgare.
“Gjatë periudhës prej 1 janar 2007 deri më 17 qershor 2025, janë dhënë gjithsej 216.594 pasaporta për shtetas të Bullgarisë për të cilët kemi informacion se kanë edhe shtetësi në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi ministri bullgar Mitov.
Këto shifra nxjerrin në pah një fenomen të kahershëm që ka qenë vazhdimisht temë diskutimi në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes – çështja e shtetësisë së dyfishtë dhe identitetit kombëtar.
Autoritetet bullgare përgjithësisht e lidhin dhënien e shtetësisë me “origjinën bullgare”, ndërsa një pjesë e aplikantëve nga Maqedonia e Veriut janë përballur me kritika për shkak të përfitimit të dokumenteve bullgare kryesisht për qëllime të migrimit ekonomik në Bashkimin Evropian.