Shkupi dhe Sofja tentojnë rikthimin e dialogut, por pritshmëritë mbeten të ulëta
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe homologia e tij bullgare, Velisllava Petrova-Çamova, pritet të takohen sot në Sofje, në margjinat e konferencës ndërkombëtare ministrore kushtuar Korridorit 8. Takimi shihet si përpjekje për të rikthyer komunikimin mes dy vendeve, pas një periudhe ngecjeje në marrëdhëniet dypalëshe dhe procesin eurointegrues.
Nisma për takimin erdhi nga Shkupi, pas rekomandimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj të fundit në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi takimin, por tha se nuk pret rezultate konkrete apo përparim thelbësor. Ai theksoi se dialogu është rruga e vetme për tejkalimin e dallimeve dhe realizimin e synimit strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Qëndrimet e dy vendeve mbeten të pandryshuara. Shkupi kërkon garanci të qarta për procesin eurointegrues, përfshirjen e përfaqësuesve evropianë në bisedime dhe shmangien e kushteve të reja të njëanshme. Sofja, ndërkaq, shprehet e gatshme për dialog, por kundërshton rinegocimin e marrëveshjeve dhe detyrimeve të mëparshme.
Edhe opozita maqedonase shpreh skepticizëm. Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, kritikoi Qeverinë për mungesën e komunikimit të mëhershëm me Bullgarinë, ndërsa akuzoi kryeministrin se me deklaratat e tij po e vështirëson atmosferën për bisedime.
Pavarësisht dallimeve dhe pritshmërive të ulëta, takimi në Sofje konsiderohet një mundësi për rihapjen e dialogut diplomatik dhe kërkimin e një zgjidhjeje për ngërçin që po pengon avancimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.