Viktima e nëntë nga Ethet e Nilit, humb jetën 66-vjeçari nga Kumanova
Një 66-vjeçar nga Kumanova ka ndërruar jetë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup si pasojë e etheve të Nilit Perëndimor, njoftoi drejtori Fadil Cana. Pacienti vuante edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese. Sipas drejtorit Cana, 66-vjeçari kishte qëndruar i hospitalizuar për 28 ditë në këtë klinikë dhe kishte pasur një pasqyrë më të rëndë klinike.
Cana informoi se deri më tani janë hospitalizuar 66 pacientë, ndërsa aktualisht në Klinikën Infektive po trajtohen 11 persona, njëri prej të cilëve është në gjendje më të rëndë. Pacienti i fundit me ethet e Nilit Perëndimor është pranuar në klinikë më 19 shtator, përkatësisht gjatë fundjavës së kaluar.
Ky është rasti i nëntë i vdekjes nga ethet e Nilit Perëndimor në vend, ndërsa të gjithë personat që kanë humbur jetën deri më tani janë burra.
Në disa pjesë të Shkupit vazhdon të jetë në fuqi gjendja e epidemisë nga virusi, i cili transmetohet përmes mushkonjave./VOXAL/