BE apelon për përmbajtje pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: Drejtësia të vijojë pa ndërhyrje
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për përmbajtje në Kosovë dhe në rajon pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Guillaume Mercier, tha se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të lejohen ta ushtrojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje.
“Drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrjedhën e saj”, deklaroi Mercier, duke theksuar rëndësinë e procesit për viktimat dhe përgjegjësinë e autoriteteve për garantimin e sigurisë së të gjitha komuniteteve në Kosovë.
BE-ja tha se “merr shënim” aktgjykimin e shkallës së parë dhe shprehu mbështetje për funksionimin e Dhomave të Specializuara, duke i cilësuar procedurat si të drejta, të paanshme dhe të pavarura dhe të bazuara në parimin e përgjegjësisë penale individuale.
Mercier rikujtoi gjithashtu se të dënuarit kanë të drejtën e ankimit dhe se aktgjykimi mund të shqyrtohet nga një panel i veçantë i Gjykatës së Apelit.
Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan të mërkurën Thaçin me 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet, Selimin me 13 vjet dhe Krasniqin me 25 vjet burgim. Aktgjykimi është i shkallës së parë.