VV dhe LDK arrijnë marrëveshje për presidentin, kush është Bekim Sejdiu – kandidati i përbashkët?
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për emrin e kandidatit për president të Kosovës.
Bekim Sejdiu është emri për të cilin dy partitë janë dakorduar që të jetë kandidat i përbashkët për kreun e shtetit.
Marrëveshja mes VV-së dhe LDK-së e vendos Sejdiun në qendër të zhvillimeve politike rreth zgjedhjes së presidentit, ndërsa ai vjen me një karrierë të gjatë në drejtësi, diplomaci dhe botën akademike.
Por, kush është Bekim Sejdiu?
I lindur në vitin 1974, Sejdiu ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Para emërimit në këtë institucion, në prill të vitit 2015, ai kishte shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Sejdiu i përket brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës. Nga viti 2008 deri në vitin 2012 ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi, ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2014 ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork.
Para emërimit si ambasador, ai ka qenë edhe këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Paralelisht me angazhimin institucional dhe diplomatik, Sejdiu ka zhvilluar edhe karrierë akademike. Që nga viti 2002 është i angazhuar në Departamentin e së Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Ai ka përfunduar studimet juridike në Universitetin e Prishtinës në vitin 1999, ndërsa më pas ka përfunduar dy magjistratura. Njërën në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Bilkent dhe tjetrën në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Sarajevës dhe Universitetin e Bolonjës.
Sejdiu ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe Studimeve Evropiane – Nova Univerza, në Slloveni.
Në biografinë e tij përfshihen edhe angazhime në shoqërinë civile. Ai ka qenë pjesë e grupit themelues dhe anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, nga viti 2002 deri më 2008. Në periudhën 2000-2002 ka qenë gjithashtu drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile.
Gjatë karrierës së tij, Sejdiu është nderuar me disa dekorata dhe mirënjohje, përfshirë Dekoratën e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut, Çelësin e qytetit Worcester në Massachusetts dhe një medalje nga ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë.
Ai ka realizuar vizita studimore në universitete të ndryshme në Evropë dhe SHBA, si dhe ka botuar punime akademike në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare.
Bekim Sejdiu është i martuar me Alberie Sejdiu (Rraci), mësuese në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, dhe kanë tre fëmijë./VOXAL/