Nafta shumë më lirë, benzina shtrenjtohet!
Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale (KRE) ka miratuar çmimet e reja të derivateve të naftës, të cilat mesatarisht ulen me 2,06 për qind krahasuar me përllogaritjen e mëparshme.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga 1 shtatori në orën 00:01. Sipas vendimit, nafta dhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri do të jenë dukshëm më të lira, ndërsa benzina do të shtrenjtohet.
Çmimet e reja për litër janë:
EURODIZEL (D-E V): 95 denarë, ose 6,50 denarë më pak.
Vaj ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1): 97 denarë, ose 3,50 denarë më pak.
EUROSUPER BS-95: 94 denarë, ose 1 denar më shumë.
EUROSUPER BS-98: 96 denarë, ose 1 denar më shumë.
Ndërkohë, çmimi me pakicë i mazutit M-1 NS ulet me 1,166 denarë për kilogram dhe do të jetë 44,410 denarë për kilogram.
Nga KRE bëjnë të ditur se në tregjet botërore çmimet referente janë rritur për benzinën me 2,212 për qind, ndërsa për naftën janë ulur me 8,237 për qind. Çmimi i vajit ekstra të lehtë ka shënuar ulje prej 4,389 për qind, ndërsa mazuti është liruar me 2,793 për qind.
Kursi i denarit ndaj dollarit amerikan ka shënuar ulje prej 0,5477 për qind.
Nga Komisioni Rregullator theksojnë se çmimet e përcaktuara janë çmimet maksimale, që do të thotë se tregtarët me shumicë dhe pakicë mund t’i shesin derivatet edhe me çmime më të ulëta se ato të përcaktuara.