Autostradat “vjelin” 31 milionë euro për vetëm 5 muaj!
Mbi 31 milionë euro janë arkëtuar nga pagesat e autostradave në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i vitit deri në qershor. Sipas të dhënave të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH), në pikat e pagesës janë mbledhur gjithsej 1.919.775.277 denarë, ose mbi 31 milionë euro.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025, këtë vit janë arkëtuar 21.891.532 denarë më shumë.
Stacioni më i frekuentuar i pagesës është ai në Tetovë, i ndjekur nga Petrovec, Rramanli, Gllumovë, Milladinovci, Zhelinë, Gostivar, Stobi, Kadrifakovë, Preod, Sopot, Demir Kapi, Otovicë dhe Gjevgjeli.
Megjithatë, sa i përket të ardhurave të realizuara, Rramanlia prin me arkëtimet më të larta. Pas saj renditen Milladinovci, Petrovec, Gllumova, Zhelina, Tetova, Stobi, Preodi, Gostivari, Sopoti, Gjevgjelia, Kadrifakova, Otovica dhe Demir Kapia.
Nga NPRRSH bëjnë të ditur se gjatë periudhave me fluks të shtuar të trafikut, veçanërisht gjatë sezonit veror, përgatitet një plan i veçantë veprimi për të aktivizuar të gjitha korsitë në dispozicion në pikat e pagesës përgjatë dy korridoreve.
Një rëndësi gjithnjë e më të madhe po i kushtohet edhe pagesave elektronike. Aktualisht, pagesat përmes M-Tag dhe M-Card përbëjnë 36 për qind të qarkullimit të përgjithshëm në 11 stacionet e pagesës ku është vendosur sistemi elektronik.
Me M-Tag, automjetet mund të kalojnë përmes korsive të dedikuara pa u ndalur, ndërsa M-Card mundëson pagesë pa kontakt me punonjësit në pikat e pagesës.
Të dhënat e NPRRSH-së tregojnë gjithashtu se përdorimi i pagesave elektronike është rritur me 6 për qind, veçanërisht pasi M-Tag është bërë më i qasshëm për qytetarët.
Që nga maji i këtij viti, pajisjet M-Tag mund të blihen edhe në rrjetet shitëse të Makedonski Telekom dhe A1 Maqedoni, ndërsa më parë ishin në dispozicion vetëm përmes NPRRSH-së dhe në pikën e pagesës në Petrovec.
Ndërkohë, autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë e ndryshimit të mënyrës së pagesës së autostradave, sipas modelit që aplikohet në Serbi.
Bëhet fjalë për një sistem të mbyllur ku pagesa do të përcaktohej sipas kilometrave të përshkuara, në vend të pagesës në pika fikse.
Për këtë qëllim, tashmë është duke u përgatitur një studim për mundësinë e zbatimit të këtij modeli në Korridorin 8.
Ndërkaq, gjatë gjithë vitit 2025, deri më 23 dhjetor, nga pagesat e autostradave ishte realizuar qarkullim prej 4.158.914.362 denarësh, ose rreth 67,6 milionë euro.
Të dhënat e gjashtë muajve të parë të këtij viti tregojnë kështu një rritje të arkëtimeve dhe një përdorim në rritje të pagesave elektronike në autostradat e vendit.