5 raste të reja të konfirmuara me ethet e Nilit Perëndimor, gjithsej 15 pacientë të shtruar në Infektive
Pesë raste të reja, të cilat më parë ishin të dyshuara, janë konfirmuar si raste me ethe të Nilit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.
Aktualisht, në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar gjithsej 15 pacientë.
Tre prej tyre janë në gjendje kritike dhe janë të lidhur me respirator.
Të gjithë pacientët janë mbi 60 vjeç, kanë sëmundje shoqëruese dhe janë nga zona më e gjerë e Shkupit.
Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.
Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.