Tri banesat e konfiskuara të Nikolla Gruevskit dalin sërish në ankand
Agjencia për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar ka shpallur sërish ankand për shitjen e tri banesave të konfiskuara të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Pronat, të konfiskuara në kuadër të rastit gjyqësor “Parcelat në Vodno”, do të dalin në ankand më 29 korrik, në orën 09:00, 11:00 dhe 13:00.
Sipas shpalljes, të tri banesat ndodhen në të njëjtën adresë në Vodno. Banesa më e madhe ka sipërfaqe prej 200 metrash katrorë, e dyta 199 metra katrorë, ndërsa më e vogla 155 metra katrorë. Të gjitha kanë edhe tarraca të mëdha, me sipërfaqe mbi 40 metra katrorë.
Çmimi fillestar për banesën e parë është 52,3 milionë denarë, ose rreth 850 mijë euro. Banesa e dytë do të ofrohet me çmim fillestar prej 52 milionë denarësh, ndërsa për banesën e tretë çmimi fillestar është 46,7 milionë denarë, ose rreth 760 mijë euro.
Banesat e Gruevskit dalin në shitje për herë të dytë, pasi ankandi i parë, i organizuar një vit më parë, përfundoi pa asnjë ofertues dhe pa u realizuar shitja./VOXAL/