Prokuroria: Nekrofilia ishte motivi i vrasjeve serike në rajonin e Kumanovës
Në Gjykatën Themelore të Kumanovës ka nisur sot procesi gjyqësor ndaj 25-vjeçarit Trajko Bojkovski, i akuzuar për katër vrasje dhe dy tentim-vrasje ndaj grave të moshuara në rajonin e Kumanovës.
Seanca u shënua fillimisht nga sjellja e pazakontë e të akuzuarit. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gjykatësit për identitetin e tij, nuk vendoste kontakt me gjykatën dhe gjatë gjithë kohës shikonte nga tavani duke buzëqeshur, pa thënë asnjë fjalë. Pas një pauze dhjetëminutëshe, ai konfirmoi identitetin, ndërsa më pas deklaroi se nuk ndihej fajtor, megjithëse avokati i tij kishte paralajmëruar më herët se do ta pranonte fajësinë.
Sipas Prokurorisë, Bojkovski i zgjidhte viktimat me qëllim, pasi ato jetonin vetëm, ishin të moshuara, të pafuqishme dhe shpesh në gjumë. Ai dyshohet se hynte në shtëpitë e tyre, i sulmonte, i godiste dhe i mbyste, ndërsa pas vdekjes kryente abuzim seksual me trupat e tyre.
Prokurori publik Ljubomir Lape e cilësoi rastin si të paprecedentë në praktikën gjyqësore të Maqedonisë së Veriut dhe të ish-Jugosllavisë. Ai tha se aktakuza do të mbështetet me një numër të madh provash, përfshirë procesverbalet e këqyrjes, zhvarrosjet, autopsitë, analizat e ADN-së, ekspertizat psikiatrike dhe dëshmitë e viktimave që i mbijetuan sulmeve.
Sipas prokurorit, ekspertiza psikiatrike dhe gjetjet e Institutit të Mjekësisë Ligjore do të dëshmojnë se nekrofilia ka qenë motivi dominues i krimeve. Ai theksoi se i akuzuari, me qëllim për të kënaqur prirjet e tij seksuale ndaj trupave të pajetë të grave, fillimisht i vriste viktimat dhe më pas abuzonte seksualisht me trupat e tyre.
Familjarët e katër grave të vrara i janë bashkuar ndjekjes penale si palë të dëmtuara.
Trajko Bojkovski akuzohet për katër vepra penale “vrasje” dhe dy “vrasje në tentativë”. Për veprën penale të vrasjes së rëndë, Kodi Penal parashikon dënim me të paktën dhjetë vjet burg ose burgim të përjetshëm.